Vlora turistike: Një ditë në plazhin e mrekullueshëm të Palasës

Posted on e enjte, 11 gusht 2011 by alb.infoo


Zhavorri i imët, bregu shkëmbor dhe i thyer, krijojnë një peizazh të rrallë, që pothuajse nuk e ndesh askund në të gjithë bregdetin shqiptar. Uji i kthjellët i detit i bashkohet kësaj tabloje natyrore, ku gjithçka duket perfekte.
Vlora turistike:  Një ditë në plazhin e mrekullueshëm të Palasës






Harilla Koçi

Plazhi masiv prej mijëra kilometrash katrorë është një nga surprizat e bregdetit të Himarës.

Në veprën e tij "Lufta Civile", Jul Çezari përshkon mes të tjerash zbarkimin e trupave të tij "ndanë brigjeve Palaeste" në ndjekje të rivalit të tij, Pompeut. Konflikti mes dy personazheve të njohura në historinë e Romës së lashtë u zhvendos në brigjet shqiptare. Në vitin '48 para erës së re, Çezari arriti të triumfonte ndaj Pompeut, duke marrë qytetin e Jerikos. Palaesta. Vendi i zbarkimit të trupave të Çezarit është bregu i Palasës së sotme, në afërsi të Dhërmiut, rreth 50 km larg qytetit të Vlorës, ndërkohë që Jeriko përkon me Orikumin. Bregdeti i Palasës është përmendur shpesh nga të moshuarit e kësaj zone për historinë që ka si kulm konfliktin mes Çezarit dhe Pompeut. Sot, ky vend është një plazh i mrekullueshëm, shumë pranë deltës së lumit që mban emrin e fshatit, por që në pjesën më të madhe të vitit është krejt i thatë. Plazhi masiv prej mijëra kilometrash katrorë shtrihet në të dy krahët e deltës së derdhjes në det të lumit të Palasës, që zbret nga kreshtat e maleve, shumë pranë Çikës.

Zhavorri i imët, bregu shkëmbor dhe i thyer, krijojnë një peizazh të rrallë, që pothuajse nuk e ndesh askund në të gjithë bregdetin shqiptar. Uji i kthjellët i detit i bashkohet kësaj tabloje natyrore, ku gjithçka duket perfekte. Njeriu këtu ndihet ndryshe. Përjeton kthjelltësinë e qiellit, të detit, gjelbërimin e thellë. Një fjalë e urtë e banorëve të kësaj zone, thotë se nuk ke shijuar asgjë nga bregdeti i Himarës, nëse nuk përjeton qoftë edhe për pak çaste kënaqësinë që të sjell plazhi i Palasës, ose i Dhralesë, siç dhe emërtohet ndryshe në terminologjinë vendore.

Shkëmbinjtë e prerë si me thikë, që zbresin deri në ujë, alternohen me sipërfaqe pa fund të mbuluara nga zhavorri i imët. Ky plazh është një nga surprizat e bregdetit të Himarës, ashtu siç është e tillë dhe historia e lashtë e tij. Duke iu rikthyer Çezarit dhe librit të tij, veçojmë se ai përmend në të fisin kaon ilir të gërmimeve (Dhërmiut), që popullonte këtë zonë, duke sjellë një dëshmi tjetër të rëndësishme të paraardhësve të popullsisë së kësaj zone. Por, pikërisht kjo histori e shkruar, e bën edhe më tërheqëse këtë pjesë të bregdetit shqiptar të Himarës.

Të pushosh këtu, në këtë plazh plotësisht të virgjër, të duket se percepton në kujtesë ngjarjet e asaj historie të lashtë kur dy personazhet e famshme të Romës zgjodhën bregdetin e Ilirisë për të provuar forcat me njëri-tjetrin. Përveçse në libra, historia është e shkruar këtu në këta gurë dhe guralecë, në këta shkëmbinj, në këto pemë përherë të gjelbëruara që mbulojnë bregdetin.

Plazhi, dikur i privuar edhe për banorët e këtyre anëve, tashmë është një realitet tjetër. Ai spikat qartësisht sapo nis të zbresësh në kthesat e larta të Llogarasë. Shikimi prek një zonë të bardhë që vazhdon deri në brezin e ujit, ku nis e transformohet gradualisht në një ngjyrë të kaltër të thellë. Ky është ngacmimi i parë që merr kushdo që vjen këtu për herë të parë. Për të shkuar në këtë plazh duhet të kthesh rrugën djathtas, pa arritur në Urën e Palasës. Disa koshere bletësh, që prodhojnë një mjaltë si askund tjetër, të ftojnë të shijosh prodhimin e tyre përpara se të drejtohesh për në parajsën natyrore që ndodhet disa qindra metra më poshtë. Duket se bletërritësit nuk e kanë zgjedhur rastësisht këtë vend për të tregtuar prodhimin e tyre. Janë të shumtë ata pushues, qytetarë nga gjithë vendi dhe turistë të huaj, që kanë nisur t'i bashkohen këtij peizazhi shumëngjyrësh në pjesën më të madhe të muajve të vitit, por veçanërisht në verë.

Vlora turistike:  Një ditë në plazhin e mrekullueshëm të Palasës
Vlora turistike: Një ditë në plazhin e mrekullueshëm të Palasës
Veçantitë e natyrës ofrojnë këtu dhe një mundësi tjetër, vendosjen e çadrave. Numri i atyre që zgjedhin këtë mënyrë për të shijuar plazhin e Palasës ka ardhur në rritje. Ata janë nga Vlora, Tirana, Fieri, Berati, Shkodra, madje edhe nga Kosova e Maqedonia. Fatosi, është një prej atyre që i pëlqen ta frekuentojë këtë pjesë të bregdetit, duke hapur një çadër që ai e ka blerë para dy vjetësh. Vjen këtu me bashkëshorten dhe me vajzën, pothuajse çdo të premte dhe largohet të dielën në mbrëmje. "Është një mrekulli ky vend. Ke detin dhe përkundruall tij edhe malin, që duket sikur të qëndron mbi kokë", thotë 44-vjeçari nga qyteti i Vlorës. Ai tregon se, në këtë vend shijon si askund tjetër edhe peshku, apo mishi i pjekur në zgarë, të shoqëruara me pak verë, apo birrë të ftohtë që mund të mbahet në një burim të fshehur, diku në shkurret e dendura. Për Fatosin, kjo është një parajsë tokësore, që të bën të ndihesh ndryshe.

Janë dhjetra pushues, që këtu përjetojnë veç të tjerash dhe dimensione të tjera njerëzore. Kalojnë ditë dhe netë të paharruara në shoqërinë e detit, ajrit të pastër, muzikës. Ata shtohen çdo javë, muaj e vit. Ja, këtë verë, numri i atyre që shijojnë plazhin e Palasës është shumë më i madh se vitin e kaluar. Por, ky vend ka shumë më tepër vend. Janë mijëra metra katrorë bregdet, që nuk preken nga njeriu dhe që përbëjnë një potencial të jashtëzakonshëm turistik për zonën. Parajsa tokësore është këtu në plazhin e Palasës, në këtë pjesë të mrekullueshme të bregdetit shqiptar.

0 Responses to "Vlora turistike: Një ditë në plazhin e mrekullueshëm të Palasës":