Delvina, perla e pazbuluar e jugut

Posted on e martë, 9 gusht 2011 by alb.infoo

Dikur një fshat i vogël, por edhe qendër sanxhaku në shekullin XVI, Delvina i jep mirëseardhjen vizitorëve të saj me statujën krenare të një prej figurave më të shquara të kombit, Kryeministrit të parë shqiptar, Sulejman Delvinës.

Delvina, qyteti ku ndërthurret mrekullisht trashëgimia e së shkuarës me mrekullinë e natyrës dhe traditat shqiptare u vendos në fokusin e kamerave të emisionit të pasdites në Top Channel.

Dikur një fshat i vogël, por edhe qendër sanxhaku në shekullin XVI, Delvina i jep mirëseardhjen vizitorëve të saj me statujën krenare të një prej figurave më të shquara të kombit, Kryeministrit të parë shqiptar, Sulejman Delvinës.

E vendosur mbi një pllajë malore, Delvina ndodhet në qendër të rrugëve kryesorë të jugut. Pranë detit në verë, por edhe pranë borës në dimër, qyteti është një destinacion i shkëlqyer turistik në çdo kohë të vitit.

Pak të njohur, por jashtëzakonisht të rrallë e të vlerësuar momumentet përreth qytetit. Manastiri i Kamenosë, dy kilometra larg Delvinës besohet se është ndërtuar rreth vitit 630 pas Krishtit dhe në të spikat një arkitekturë e rrallë bizantine.

Edhe më e lashtë kalaja e shekullit IV-V, në nevojë urgjente për rikonstruksion nga shteti, në një shpat malor që zotëron pamjen e të gjithë qytetit. Midis zonave që duhen vizituar absolutisht, Xhamia e Gjin Aleksit në Rusan apo kompleksi i Xhermehalles, i përbërë nga objekte social-kulturore, xhamia, teqe, tyrbe, hamame, hane dhe mullinj për bluarjen e grurit.

Megjithatë, Delvina është e pasur në traditë edhe prej njerëzve që e banojnë, e që e kanë bërë atë të njohur në Shqipëri si atdheun e sazeve. Polifonia, klarineta, violina e sazet rrjedhin në gjakun e popullit të qetë delvinas.

Veshjet popullore dhe ushqimet janë pa dyshim, “qershia mbi tortë” për turistët. Dikur të zymta, për të simbolizuar vuajtjet, sot veshjet e zonës janë shumëngjyrëshe dhe tepër të larmishme.

Byreku me mish pule, role me patëllxhanë dhe japrakë me të përbrendshme qingjit janë pjatat e mrekullueshme që mund të shijohen së bashku me një gotë verë të zonës.

0 Responses to "Delvina, perla e pazbuluar e jugut":