Formula vazhdon të jetë po e njëjta: lojë me imazhin. Ndërsa rrymat muzikore të ndryshme. Nga ato që do tregu dhe që funksionojnë me fansët, hip hop, RnB, house. Me pak fjalë, gjithçka përveçse balada. Nga këto të fundit, megjithëse i ka shumë për zemër, Samanta Karavella ka hequr dorë për momentin. I mban larg qysh ditën kur e kuptoi se nëse nuk i jepte një dozë të mirë ndryshimesh performancës dhe karrierës së saj artistike, vështirë se do ta shikonin siç ajo donte: me syrin e vajzës së rritur, zonjushës seksi, që dinte të luante me imazhin, të ishte ekstravagante kur dhe sa duhej, të godiste kur donte. Me baladat shkaktonte efekt të kundërt: ëmbëlsia dhe brishtësia e fytyrës kur bashkoheshin me tingujt e qetë përcillnin Samantën e vogël, atë të kohës së “Etheve”, prej së cilës tanimë ka mbetur shumë pak.
Megjithatë, në këngën e fundit që po përgatit për ta lançuar brenda pak ditësh, Samanta Karavella ka edhe pak baladë. Thotë se i përket rrymës elektro-pop, që e shqipëruar nënkupton se ka brenda edhe ritmin, por edhe notat e qeta muzikore. Thënë më ndryshe, kur këndon Samanta duket gati një baladë, ndërsa tingujt shoqërues që i vijnë pas të zgjojnë dëshirën për të kërcyer. Është një këngë e re që i vjen për shtat verës, por që sjell edhe shumë risi të tjera për këngëtaren: ka ndryshuar bashkëpunëtorë, ritme dhe do të ndryshojë edhe stil në veshje. Këto ditë niset për në Porto Palermo, ku do të realizojë xhirimet e klipit me të cilin do të prezantohet kjo këngë e re, e titulluar “Larg” dhe pavarësisht se e ndajnë pak orë nga fillimi i xhirimeve, Samanta ende nuk i ka dhënë dorën e fundit garderobës. Ka vendosur si gjithmonë vetë për të gjitha dhe zgjedhja e kësaj here është një linjë ekstravagante, e egër, me makiazh të rënduar, fustane të gjatë stil “haute couture”, një variant fashion me detaje të llogaritura deri në elementet më të padukshëm. Do të kemi, pra, edhe kësaj radhe, një Samanta surprizuese që vjen në momentin e duhur – mesi i verës – me plot të reja që shkojnë nga jeta profesionale në atë private. Ka plot për të treguar për të dyja, sidomos tani, në prag të promovimit të radhës, të një kënge që është vetëm vazhdim i listës së krijimeve të reja që ka prezantuar këtë vitin e fundit, i cili i ka përmbushur të gjitha pritshmëritë e saj: Samanta Karavella është renditur tashmë në listën e këngëtareve seksi, me shumë tituj në cv, me axhendë të mbushur me koncerte brenda dhe jashtë Shqipërisë dhe pjesëmarrje në festivale. Metamorfoza që mendoi për veten i ka dhënë rezultatet, bashkë me të mirat edhe të “këqiat”, ato që ndoshta Samanta nuk do t’i donte. Siç janë, fjala vjen, shumë thashetheme të thëna në adresë të saj, një konkurim në Top Fest që u mbyll pa arritur në finale, pa përmendur shkrimet që thonin se bashkëpunëtori i hershëm i saj, Big Basta, e ka akuzuar se nuk i kishte dhënë paratë. Ky i fundit madje, siç thuhej, u kishte shkruar edhe një letër organizatorëve të Top Fest. Për këto dhe historinë e saj të dashurisë, për të cilën shpesh janë thënë edhe gjëra të paqena, Samanta ka qenë në qendër të vëmendjes për shumë kohë.
Prandaj, me këtë rast, siç nuk i ndodh shpesh të bëjë, Samanta ka vendosur të vërë pikat mbi “i”. Të tregojë disa të vërteta për Big Bastën, të dashurin dhe një bashkëpunim të ri që po lind.
“Vera dihet që është periudha e përshtatshme për të promovuar këngë ritmike dhe kjo që kemi në dorë tani është e tillë. I përket rrymës elektro-pop dhe klipi që e shoqëron do të jetë i veçantë, siç e do kënga. Kam menduar mirë për veshtjet, ngjyrat, makiazhin, vendet ku do të xhirohet, çdo gjë”.
Pas dy ditësh Samanta niset për xhirime, por garderoba ende nuk ka përfunduar. Fustanet po punohen sipas ideve të saj, të gjatë dhe me stil, ndërsa flokët do të jenë të fryra deri në ekstravagancë. Projekton diçka të fortë sepse edhe ky prezantim ka diçka ndryshe nga zakonisht: bashkëpunëtorin e këngëtares. I cili nuk do të kishte kaq shumë rëndësi nëse deri pak javë më parë Samanta të mos përflitej për ndarjen nga bashkëpunëtori i saj i kahershëm, Big Basta. Një ndarje – profesionale – që u bë bujshëm, mbase në momentin më të papërshtatshëm të mundshëm: gjatë konkurimit të saj në Top Fest. Kënga e Samantanës, kompozim dhe tekst i Big Bastës, nuk e arriti finalen këtë vit, dhe ende pa u shpallur emrat e natës gala, në media qarkulloi lajmi se shkak kishte qenë një letër e kompozitorit, i cili u drejtohej organizatorëve të festivalit me kërkesën që ta përjashtonin Samantën sepse ajo nuk e kishte paguar për punën e tij. “Kjo nuk është e vërtetë”, thotë Samanta. “Nuk më përjashtuan nga Top Fest, thjesht nuk u kualifikova në finale. E dëshmon këtë fakti se në finale kam qenë e nominuar për çmim. Nuk do të ishte kështu po të isha e përjashtuar. Megjithatë, prisja që të paktën organizatorët të më respektonin aq sa të më njoftonin që nuk do të isha një nga finalistet. Nuk ma tha askush këtë, e mora vesh vetëm kur pashë natën e ndarjes së çmimeve”.
Ka pyetur ama për arsyet e skualifikimit dhe të gjitha Samanta ia atribuon cilësisë së këngës. “Nuk po e them unë këtë, por specialistë të muzikës, ndër ta edhe organizarorë të Top Fest. Kënga kishte mangësi në shumë komponentë të saj, ndaj edhe nuk e çoi deri në fund udhëtimin në këtë festival”. Kjo do të thotë pakënaqësi edhe ndaj Big Bastës sigurisht, autorit të kësaj kënge, një bashkëpunëtor i hershëm i Samantës, shpesh i lakuar edhe si menaxheri i saj. E mohon edhe këtë të fundit duke shtuar se për atë çështjen e shumëfolur të parave asgjë nuk është e vërtetë. Në fakt, pas Top Fest, Big Basta e ka hapur një proces gjyqësor dhe në adresë të Samantës ka mbërritur një letër zyrtare me pretendimet e tij – kërkesa për t’i paguar çmimin e disa këngëve në një shumë 4000-5000 euro – por, që Samanta nuk e ka marrë shumë në konsideratë. “Nuk kam pasur asnjëherë kontratë me Bigun dhe nuk ka qenë ndonjëherë menaxheri im. Ai kërkon para për këngën “Start” ku unë kam qenë e ftuar. Është një këngë bashkëpunim me Big Bastën dhe Lyrical Son, por ai më ftoi mua të këndoj aty dhe unë nuk e kuptoj pse duhet të paguaj për këtë”.
Sqaron edhe se nuk kanë pasur ndonjëherë marrëdhënie menaxhuese, por vetëm menaxher të përbashkët dhe sidomos faktin se e gjithë kjo histori është keqkuptuar sepse Samanta ka qenë shumë prezente dhe aktive në studion e Big Bastës. “Bashkëpunoja si zë i dytë me këngëtarë të tjerë, kur hidheshin pjesët muzikore të këngëve, pra jo vetëm kur realizoheshin këngët e mia. Megjithatë, i dhashë fund atij bashkëpunimi sepse cilësia erdhi duke rënë, nuk ishte më si në fillim. Isha e pakënaqur profesionalisht”.
Me pak fjalë, pas këtyre sqarimeve Samanta vërteton për të fundit herë se kapitulli i Big Bastës është mbyllur tashmë. Ajo çështja e gjyqit dhe e parave për të është e pavlerë për aq kohë sa nuk e lidh asnjë kontratë me Bigun dhe, sipas saj, pretendimet e shkruara në atë letër nuk qëndrojnë. Aq më pak historia për të cilën u fol në Top Fest. Tani është koha për të tjerë bashkëpunëtorë dhe të tjera këngë.
Si kjo që do të prezantojë këtë mes gushti, e cila mban firmën e Kledi Bahitit, një emër mbase i ri në listën e kompozitorëve në modë për momentin, por që, siç thotë Samanta, është bashkëpunëtor i Flor Mumajesit (punojnë në një studio) dhe autor i këngëve të shumë këngëtarëve, sidomos Vedat Ademit. Me Kledin ka gati edhe një këngë tjetër, me tekst në anglisht, shkruar nga Erioni, një autor i njohur që jeton në Nju Jork, të cilën do ta prezantojë këtë vjeshtë. Bëhet fjalë për një tjetër kompozim që premton të kthehet në hit prej ritmeve të gërshetuara RnB dhe atyre ballkanike.
Sa për imazhin e Samantës që do ta shoqërojë këtë këngë, në pritje për t’u publikuar, ka ende kohë për ta menduar. Tani parashikon ekstravagacë për klipin që po xhiron e pas tij do t’i futet punës për këngën e radhës. Sidoqoftë, do të jetë diçka e re, e paprovuar më parë, siç ka bërë gjatë gjithë këtij viti fundja. Menjëherë pas këngës “Le të jetë”, Samanta provoi të eksperimentonte me një imazh të ri në këngën pasardhëse, atë me Big Bastën dhe kosovarin Lyrical Son. Atëherë, diçka më pak se një vit më parë, në ekran u shfaq një vajzë seksi me flokë të prerë shkurt e me baluke, të lyera portokalli. Iu desh t’i lyente 3-4 herë për të arritur atë ngjyrë por “doja patjetër diçka ndryshe”. Siç e kërkoi edhe tek veshjet që duhet t’i vinin për shtat moshës: pantallona të kuqe me tiranda, streçe leopard ose ndryshe, një shndërrim i paimagjinueshëm për një figurë si ajo që e bëri efektin e vet – shkaktoi debat. Ato kohë disa e miratuan guximin e Samantës e disa jo. “Më pëlqen kështu sepse nuk dua të jem e mërzitshme, gjithmonë me të njëjtin imazh. Pastaj, që kur kam filluar të ndryshoj, edhe njerëzit më kanë parë me një sy tjetër. Tek e fundit të gjithë për këtë luftojnë apo jo”, shton duke nënkuptuar se në rastin e saj nuk i është dashur të sajojë asgjë për të mbetur në faqet e gazetave apo komentet e njerëzve. Thjesht, sa herë që shfaqet në ekran, vjen me një imazh të ndryshuar kokë e këmbë që tërheq vëmendjen.
Këtë formulë ka zbatuar gjithë këtë kohë. Edhe në këngën pasardhëse, “Provojë edhe një herë” në të cilën flokët e prerë shkurt, alla Mila Jovoviç tek “Elementi 5″, bënë efekt.
“Kjo do të thotë se ka funksionuar”, thotë Samanta duke dashur të sqarojë edhe diçka të fundit dhe që kësaj here ka lidhje me të dashurin dhe look-un e saj. Që kur dolën fjalët e para për historinë e saj të dashurisë u tha edhe se miku i saj i zemrës është shkaktari i gjithë këtij ndryshimi: është ai që jep idetë dhe këshillat, sebepi i këtij boom-i të Samantës. “Nuk e kuptoj se pse kanë thënë kështu, por kjo nuk është aspak e vërtetë. Këshilltarja ime, ajo që kujdeset për gjithçka është vetëm motra ime. I mendoj bashkë me të prezantimet e mia, veshjet dhe çdo ndryshim që kam bërë”.
Sa për të dashurin? Është ende shpjet për t’i zbuluar emrin, por siç thotë Samanta është një lidhje në të cilën çdo ditë që kalon ndihet përherë e më mirë. Janë lidhur sipas variantit klasik të një historie dashurie, pa goditje me shikim të parë dhe romanca qiellore. Shpirtin e saj binjak, Samanta e ka njohur në një mjedis shoqëror e me kalimin e kohës miqësia kaloi në dashuri. “Ai është mbështetje për mua për më tepër që është i njohur dhe ka shumë kontakte me njerëz të artit. Më kupton dhe ka pranuar të qëndrojë pranë një personazhi me karrierë artistike dhe të njohur”. I ka marrë parasysh edhe rastet kur ajo është subjekt titujsh bombastikë me pak fjalë apo objekt thashethemesh që qarkullojnë lart e poshtë. I gëzohen kësaj lidhje prej disa muajsh, ndërkohë që për vazhdimin këngëtarja nuk nxiton të shtojë asgjë. Do ta tregojë koha se si do të shkojë më tej dhe me siguri që çdo e re që do të ndodhë në jetën e saj do të merret vesh shpejt nga të gjithë. Sepse Samanta ka vendosur vetë kështu: të jetë një vajzë e hapur dhe pa komplekse, që luan me imazhin në kohën dhe sasinë e duhur dhe që kur mori vendim të ndryshonte kokë e këmbë jetën e saj e kishte parashikuar edhe këtë.
0 Responses to "Samanta Karavella: Vera ime e nxehtë":
Posto një koment