Durrësi, "Taverna e Adriatikut" sërish në qendër të vëmendjes

Posted on e premte, 12 gusht 2011 by alb.infoo

Qyteti i Durrësit ka një potencial të madh turistik. Ai ka një vijë të shtrirë bregdetare në dispozicion turizmin prej rreth 3,4 km, si dhe një sasi të deklaruar shtretërish prej rreth 24000 në 80 hotele.

Kosovarët tashmë kanë gjetur paqe në këtë qytet në kohën e sezonit turistik. I cilësuar dikur si plazhi ku zbarkonin kryeqytetasit, tashmë ai nuk ka mbetur i tillë, por është populluar edhe nga të tjerë.

Nuk është e rrallë që në këtë qytet të gjesh jo vetëm kosovarë, por edhe maqedonas e kombësi të tjera

Qyteti i Durrësit ka një potencial të madh turistik. Ai ka një vijë të shtrirë bregdetare në dispozicion turizmin prej rreth 3,4 km, si dhe një sasi të deklaruar shtretërish prej rreth 24000 në 80 hotele.


Vetë plazhi ka disa sektorë ku ndërrojnë edhe kategoritë e shërbimeve, si dhe çmimet. Kështu, plazhet popullore janë në afërsi të urës së Dajlanit dhe vazhdohet me pikat tradicionale që kanë ruajtur vetëm emrat, por që kanë tashmë nivele shërbimesh evropiane të kategorive me shumë yje.


Këta sektorë janë "Teuta", "Hekurudha" deri në "Iliria" me sipërfaqe prej 17 hektarësh, por edhe shoqëruar me plazhet e vogla më në veri të qytetit, si: Currila dhe Porto-Romano.


Është e vështirë të llogarisësh dëmin total të periudhës që ka kaluar me shira, pasi në Durrës mungon një shoqatë hotelierësh që të sinkronizojë të dhënat.


Sidoqoftë, temperaturat sahariane që kanë pushtuar të gjithë vendin pas mesit të korrikut mund të kompensojnë shumë shpejt dëmin e shkaktuar, pasi vihet re mbingarkesë me automjete që vijnë nga Kosova e Maqedonia për të kaluar ditët e nxehta në ujërat e brigjeve durrsake.

Problemet me plazhet private


Kriza ekonomike dikton domosdoshmërinë e shtimit të hapësirave për plazh publik në Durrës. Në një kohë kur qytetarët "shtrëngojnë rripin" për të kaluar muajin, as që mund të mendohet fakti se ata duhet të paguajnë 400-500 lekë në ditë për të shlyer çadrën dhe shezllongun.


Një diskutim i tillë ka lindur në Këshillin bashkiak të Durrësit, ku shumë përfaqësues kërkuan thuajse njëzëri më shumë plazh publik për verën e vitit 2009. Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak të Durrësit edhe kryebashkiaku Vangjush Dako u rreshtua pro kësaj nisme.


Gjatë verës së kaluar përgjatë Gjirit të Durrësit u licencuan për plazhe private 120 parcela. Ky biznes i ka sjellë arkës së bashkisë një shifër rekord prej 105 000 dollarësh në 90 ditë. Por e keqja qëndronte ne faktin se ata që zotëronin këto parcela i shtrinë shezlongjet përtej kufijve të përcaktuar nga ligji.


Këshilltarët kërkuan që të mos licencohen më ata persona që sezonin e shkuar veror e shtrinë territorin e plazhit privat përtej 200 metrave katrorë që e lejon ligji.


Për të stimuluar turizmin edhe për ato familje të varfra që vijnë në Durrës nga rrethe të tjera të vendit, Kosova apo Maqedonia, u hodh ideja që për verën e vitit 2009 sipërfaqja e plazhit publik të ishte e barabartë me atë të plazhit privat.


Çmimi më ekonomik i një çadre në një plazh privat arrin deri në tre dollarë në ditë, ndërkohë që më i shtrenjti (përtej Shkëmbit të Kavajës) kap shifrën e 5-6 dollarëve në ditë. Këto shpenzime ditore, të cilat bëhen vetëm për qëndrimin në plazh konsiderohen tejet të larta, ndaj po rishikohet raporti i ri për këtë vit. Bashkia e Durrësit është përgjegjëse për ndarjen e parcelave private nga sektori "Plepa" e deri në Currila.


Lëvizja

Transporti në Durrës është thuajse i zgjidhur në rastet kur pushuesit nuk zotërojnë një automjet. Kështu një taksi Durrës-Plepa kushton 500 lekë, ndërsa Durrës-Shkozet rreth 300-400 lekë. Po ky çmim është i vlefshëm edhe për lëvizjet brenda qytetit. Shërbimin e taksive mund ta kesh në çdo orë të ditës e të natës. Mjafton që të përdorësh telefonat e shoqërive të cilat janë të afishuara kudo.


Po kështu në dispozicion në çdo 3 minuta është edhe një autobus që bën linjën Durrës-Plepa e kthim me një kosto prej 30 lekësh. Ky shërbim urban është në funksion prej orës 05:00 të mëngjesit deri në orën 22:00 të mbrëmjes.


Nga Durrësi ka edhe linja të shumta autobusësh për në të gjitha rrethet e vendit, ndërsa pika e nisjes së tyre është tek stacioni i trenit. Për një vizitor që do të shohë Tiranën dhe Kavajën, mund të udhëtojë me furgonë ose me autobusë në çdo kohe me një biletë prej 100 lekësh.

Restorantet


Durresi të ofron edhe gatimet me peshk e fruta deti që kanë relativisht çmime të lira dhe cilësi. Kjo ndodh pasi shumë kuzhinierë kanë punuar për shumë vite në kuzhinat italiane dhe madje edhe turistët italianë mbeten mjaft të kënaqur, pasi u shërbehet që nga pasta me makarona, raguja e deri tek frutat e detit. Gatimet e kuzhinës italiane në Durrës, krahas variacioneve të kuzhinave ballkanike, kanë përparësi për këdo që i kërkon.
Kostot


Një makaron me fruta deti 200 - 250 lekë.
Rizoto rreth 500 lekë.
Po kështu edhe gatimet me mish janë cilësore. Një pulë e pjekur varion në çmime 300 - 400 lekë,


ndërsa mish i pjekur në hell tradicionalisht kushton rreth 500 lekë racioni me një gramaturë 500-gramëshe.


Po kështu, peshku kaq shumë i preferuar varion me pak ndryshime në këto çmime: një pjate merluc, barbun ose sepje varion rreth 350- 400 lekë,
ndërsa gjuzë, koce, kallamari, levreku e karkaleci variojnë 400-500 lekë,
pa përjashtuar edhe rastet e lokaleve që kanë nivel gatimi mjaft cilësor e që kanë çmime më të larta rreth 600 lekë.


Të këtij niveli në çmime janë edhe gatimet në tavë balte me karkaleca të gatuar në pana, si dhe tava karkalecash gatime me salcë, po kështu edhe oktapodet e sepjet, si dhe kallamarët e gatuara me metoda të ndryshme, të cilat shkojnë rreth 500 lekë.


Ndërsa gatimet e traditës, si: paçe e pilaf mund të konsumohen për rreth 200 lekë të marra së bashku, pasi një pilaf serviret në lokale me rreth 50 lekë, ndërsa paçja 150 lekë. Tasqebabi kushton pak më shumë, rreth 200 lekë.
Në Durrës mund të gjesh edhe kuzhinë kosovare e maqedonase, e servirur nga kuzhinierë e kamerierë të këtyre vendeve.

Turizmi kulturor në Durrës


Në qytetin e Durrësit ndodhet një muze arkeologjik nga më të kompletuarit, me një arsenal objektesh të lashtësisë prej rreth 25 000. Nga këto objekte janë të ekspozuara rreth 3000 prej tyre.


Kjo lëndë arkeologjike e përbërë nga objekte mermeri, bronzi, argjendi, ari e balte, terrakota të stileve dhe të qytetërimeve të ndryshme, vazo te ankitikitetit të pikturuara të kulturave të ndryshme etj janë të përzgjedhura sipas një tematike kohore që përfshin një periudhë relativisht të madhe, nga prehistoria deri në mesjetën e vonë të këtij qyteti.


Në të ndodhen edhe skulpturat monumentale të Perandorit Neron, si dhe e Gjeas, perëndesha e tokës, e gjetur kohët e fundit nga arkeologjia e shpëtimit, pasi u zbulua në lagjen 11 në themelet e një pallati që po ndërtohej. Ky muze është në dispozicion të vizitorëve në çdo ditë të javës duke filluar që nga ora 09:00-15:00. Ndryshim ka vetëm për ditët e diela kur orari i vizitave në muze është 09:00 - 17.00. Bileta e hyrjes kushton 200 lekë, ndersa fëmijet e shoqëruar nuk paguajnë.


Një objekt me vlera të mëdha është edhe Amfiteatri, i cili është ndërtuar në shekujt e I dhe II pas Krishtit. Ai është një objekt që për nga madhësia, sipas studiuesve durrsakë, krahasohet me amfiteatrin e Polas dhe të Pompeut. Është në formën e elipsit dhe ka pasur, sipas zbuluesit të tij, Vangjel Toçi, një kapacitet prej 20 000 spektatorësh, çka dëshmon potencialin e madh të popullsisë së këtij qyteti në antikitet.


Brenda galerive të ketij amfiteatri gjendet edhe një kapelë me gjurmë afreskesh dhe një mozaik në faqen anësore që është cilësuar si një vepër muzeale me vlera të veçanta artistike dhe historike. Sipas zbuluesit të amfiteatrit, Vangjel Toçit, kjo vepër i përket shekullit IX duke u nisur nga mbishkrimi i perandorit Aleksandër. Për këtë datim vazhdojne ende polemikat.


Rotonda është një tjetër objekt mjaft i vizitueshëm. Ky forum bizantin është një monument historik që daton rreth shekullit V. Në qendër të rotondës ndodhet një pus, si dhe një bazament prej disa shkallësh në formë rrethi.


Ajo është pjesë e një kompleksi të gjerë ndërtimesh e zbukuruar me kolona mermeri dhe me dysheme të veshur me pllaka të mëdha mermeri. Studjuesit H.Ulqini dhe I.Xaxa shkruajnë se në shkallët në qendër të rotondës duhet të ketë qenë një kolonë ku dënoheshin borxhlinjtë, megjithëse, sipas tyre, ka studjues që mendojnë se shkallët formonin bazamentin e një monumenti.

Jeta në plazh


Shumica e bareve dhe restoranteve në plazhin e Durrësit por edhe brenda në qytet qëndrojnë të hapura deri në mesnatë. Një vendim i tillë është marrë nga bashkia e qytetit, për t'i dhënë paqe pushuesve të shumtë të kësaj zone. Gjithashtu, po i njëjti vendim përfshin edhe diskot verore, të cilat janë të detyruara që të mbyllin aktivitetin e tyre ose të ulin zërin e muzikës pas mesnate.


Zakonisht mund të gjesh lokale të hapura në çdo orë. Lokalet e para mbyllen rreth mesnatës, por ka edhe lokale që rrinë gjatë gjithë periudhës që dëshirojnë klientët që t'u shërbejnë. Po pati kërkesa per shërbim restorantët janë në funksion të klientëve në çdo kohë.

Disko ka disa dhe bileta për të hyrë kushton 500 lekë. Ka dhe lokale me muzikë "live" ku këndojnë këngëtarë të njohur të vendit si dhe të diasporës. Ato janë të shumta dhe kushdo mund të gjejë lokalin që preferon në bazë të preferencave muzikore që ka.

Pozicioni gjeografik dhe klima


Sipas të dhënave gjeografike rrethi i Durrësit bën pjesë në zonën mesdhetare fushore ku temperatura mesatare e ajrit është rreth 16.0 gradë celcius. Muaji më i ftohtë është janari me temperaturë mesatare 8.2 gradë ndërsa muaji më i nxehtë korriku me temperaturë mesatare 23.8 gradë celcius.


I gjithë terreni i Durrësit është me shumë ditë me diell, çka e bën të lakmueshëm për shfrytëzimin e plazhit për një kohë relativisht të gjatë. Llogariten sipas statistikave rreth 2050 orë me diell në vit, ndërsa erërat dominante në bregdetin e Durrësit janë puhitë që prekin brigjet e tij rreth 200 ditë në vit e kryesisht në stinët e nxehta, si dhe shiroku.


Karakteristikat e Durrësit kanë qenë në themel të konkluzioneve të nxjerra nga personalitetet e lashtësisë, si Katuli, që e ka cilësuar Durrësin si "Taverna e Adriatikut". Bëhet fjalë për një vend që ruan një qytetërim 3 000-vjeçar dhe që është themeluar si qytet në vitet 627 para Krishtit. Konsideratat e tyre për këtë qytet i kanë dhënë edhe Lukani, Prokopi i Cezaresë, Herodoti, Plutarku, Apiani, Aristoteli, Eratosteni, Straboni, etj.

Trafiku


Në qytetin e Durrësit trafiku është shumë i rënduar, sidomos këtë verë që ka pasur fluks të madh mjetesh që vinin drejt Durrësit nga Kosova me rrugen e re Durrës - Morinë, si dhe nga porti i Durrësit nëpërmjet trageteve ku dhe numri mesatar i mjeteve që vinin, ishte afërsisht 600-1100 në momente të pikut të kthimit të refugjatëve për të kaluar pushimet pranë vendlindjeve të tyre.


Pikat më të bllokueshme kanë qenë nyjet rrugore brenda qytetit, por bllokimet më të mëdha konstatohen në sektore të plazhit, sidomos në kohën e mesditës kur ka pushues që vijnë ende për shkak të ditëve të ngrohta, ashtu edhe nga kërkesa për t'u kthyer shpejt drejt Tiranës e vendeve rreth e qark ku banojnë pushuesit që duan ta kalojnë mesditën në shtëpitë e tyre.


Më të bllokuara dhe koha kur qarkullimi ka vështiresi më shumë është edhe periudha e darkës kur rrugët mbushen plot me këmbësorë e makina dhe kudo vihet re një baticë lëvizjesh njerëzish e mjetesh që duan të hyjnë në plazh dhe plazhistësh që duan ta kalojnë një pjesë të natës jashtë zonës tradicionale të pushimit.


Pika më problematike këtë vit ka qenë zona e Shkëmbit të Kavajës ku për shkak të punimeve që vazhdojne në aksin rrugor ndërpritet shpesh qarkullimi e kjo sidomos vihet re rreth orëve 14:00- 16:00


Plazhi i Durrësit zakonisht nuk ka mungesa në ujin e pijshëm apo të energjisë elektrike, ndërkohë probleme haset me infrastrukturën. Kështu shpesh ka raste që pushuesit ankohen për mungesë të kanalizimeve të rregullta, gjë që ka bërë që mes lagjeve të shpërthejnë ujërat e zeza.


Në Durrës këtë vit ka një rënie me rreth 30% të numrit të pushuesve. Ndërkohë çmimet për efekt konkurrence, në kushtet edhe të rënies së numrit të turistëve kanë pasur një ulje rreth 5-10%


Plazhet


Një nga plazhet më të bukura dhe me ujëra më të pastra konsiderohet Gjiri i Lalëzit. Në Shën Pjetër ka një fshat turistik ku ka vila dhe restorante me një menu të pasur dhe cilësi të lartë, si dhe lokale të ndryshme të cilat në fundjavë vështirë të përballojnë fluksin e pushuesve, të cilët e preferojnë rrugën e re Maminas - Shën Pjetër. Vetëm 47 kilometra larg Tiranës ai ka filluar të frekuentohet më së miri.


Ende nuk ka një hoteleri masive, gjithsesi plazhi cilësohet si tërheqës për shkak të pishave të shumta


Jashtë kujdesit mbetet Rrushkulli ku ka vetëm pak lokale peshkatarësh dhe që ka potencial të madh ranor e pyjor për të qenë mjaft i lakmueshëm. Po këtë gjë mund të themi edhe për sektorin e Hamallajt.


Bukuritë më të rralla i ka Kepi i Rodonit, por për shkak të infrastrukturës së dobët rrugore mbetet i preferuar vetëm nga amatorët e peshkimit dhe të rellit pasi rruga do mjete të forta për ta përballuar, pasi është e paasfaltuar.

Transporti
Taksitë


Durrës-Plepa kushton 500 lekë
Durrës-Shkozet rreth 300-400 lekë. Po ky çmim është i vlefshëm edhe për lëvizjet brenda qytetit. Shërbimin e taksive mund ta kesh në çdo orë të ditës e të natës. Mjafton që të përdorësh telefonat e shoqërive të cilat janë të afishuara kudo.
Autobusi
Është në dispozicion në çdo 3 minuta një autobus që bën linjën Durrës-Plepa me një kosto prej 30 lekësh. Ky shërbim urban është në funksion prej orës 05:00 të mëngjesit deri në orën 22:00 të mbrëmjes.
Interurbanët
Durrës -Tiranë kushton 100 lekë
Durrës - Kavajë kushton 100 lekë


Restorante, ushqimi


Rizoto rreth 500 lekë.
Një pulë e pjekur 300 - 400 lekë,
Mish i pjekur në hell rreth 500 lekë racioni
Peshku:
një pjatë merluc, barbun ose sepje varion 350- 400 lekë
gjuzë, koce, kallamari, levreku e karkaleci 400-500 lekë
(nuk përjashtohen rastet e lokaleve me çmime më të larta rreth 600 lekë)
Tavat e baltës me karkaleca, oktapode, sepje e kallamarët të gatuara me metoda të ndryshme shkojnë rreth 500 lekë.
Gatimet e traditës, një pilaf serviret në lokale me rreth 50 lekë, ndërsa paçja 150 lekë, tasqebabi rreth 200 lekë.

Hotelet


Hotelet kushtojnë 20-25 euro/nata. Por ka edhe hotele të shtrenjta që shkojnë nga 50-150 euro dhomat teke ose suitat. Ndërsa çmimet e apartamenteve për 15 ditë variojnë. Rreth 300 euro kushton një dhome me aneks me një krevat dopio si dhe 2 krevate teke.
Shezlonet shkojnë nga 300-500 lekë
Varkat kushtojnë 400-500 lekë/ora
Motorët e ujit kushtojnë 100 euro/ora...

0 Responses to "Durrësi, "Taverna e Adriatikut" sërish në qendër të vëmendjes":